Rishi Sunak kryeministër i ri i Britanisë

Rishi Sunak kryeministër i ri i Britanisë

Rishi Sunak ka fituar garën në Partinë Konservatore të Britanisë, duke u bërë kryeministër i ri i vendit.

Ai do të bëhet kryeministri i parë britanik me prejardhje indiane dhe do të udhëheqë Britaninë, shtet që po përballet me sfida të mëdha ekonomike.

Kundërkandidatja e tij, Penny Mordaunt, u tërhoq nga gara për të parën e partisë dhe udhëheqjen e Qeverisë.

“Këto janë kohëra të paprecedentë. Kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga gara për të mirën e shtetit”, shkroi ajo në një postim në Twitter.

Sunak, 42 vjeç, u bë i njohur për publikun britanik gjatë kohës së qeverisjes së Boris Johnsonit, i cili e emëroi atë në postin e minsitrit të Financave, në kohën kur Britania regjistroi rastet e para me koronavirus.

“Kam shërbyer si kancelari juaj, duke ndihmuar që ta drejtojmë ekonominë tonë në kohërat më të vështira”, tha Sunak përmes një deklarate të dielën.

“Sfidat me të cilat po përballemi tani janë edhe më të mëdha. Por, mundësitë – nëse bëjmë zgjedhjen e duhur – janë fenomenale”, shtoi ai.

Po ashtu, nga gara për kryeministër më 23 tetor u tërhoq edhe ish-kryeministri britanik, Boris Johnson.

Johnson tha se po tërhiqej nga gara pavarësisht se kishte mbështetje të mjaftueshme në Partinë Konservatore për të vazhduar garën, por tha në këtë kohë partia, por edhe shteti, kanë nevojë për unitet.

Ai ndërpreu pushimet në Karaibe për të tentuar që të sigurojë mbështetjen e 100 ligjvënësve, në mënyrë që të hynte në garë të hënën për të zëvendësuar Liz Truss.

Truss pasoi Johnsonin në postin e kryeministrit, pasi ky i fundit dha dorëheqje në shtator për shkak të një sërë skandalesh etike.

Johnson tha se siguroi mbështetjen e 102 ligjvënësve që do të mund t’i siguronin kthimin në Zyrën e kryeministrit, por dështoi që ta bindte si Sunakun, apo edhe kandidaten tjetër, Penny Mordaunt, që të bashkohen “për interesin kombëtar”.

“Besoj se mund të ofroj shumë, por jam i frikësuar se thjesht tani nuk është koha e duhur”, tha Johnson në orët e vona të së dielës.

Sunak do të zëvendësojë Truss, e cila u detyrua të japë dorëheqje pasi lansoi një program ekonomik që shkaktoi trazira në tregjet financiare.

Truss dha dorëheqje më 20 tetor, 44 ditë pasi u zgjodh në postin e kryeministres.

Sipas rregullave partiake, kandidati fitues duhet të sigurojë mbështetjen e 100 ligjvënësve konservatorë. Pas tërheqjes nga gara, Mordaunt ofroi mbështetjen e saj për Sunakun.

Related Articles