Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe kontinent.
Sipas një komunikate nga presidenca e Kosovës, thuhet se Osmani e ka përsëritur përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe dhe siguri, duke nënvizuar se Kosova vazhdon të jetë në vijë të njëjtë me partnerët ndërkombëtar për këto çështje.
Po ashtu në komunikatë, thuhet se presidentja Osmani ka falënderuar Sir Peach për angazhimin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, gjersa ka shprehur vendosmërinë që të vazhdohet koordinimi me Mbretërinë e Bashkuar si një nga aleatët kryesor dhe historik të Republikës së Kosovës.
Vizita e Sir Stuart Peach, pason atë të Gabriel Escobar, emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor si dhe Miroslav Lajçak, emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi.