Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se është e vështirë të flitet për stabilitet në Evropë pa përmendur 31 tetorin që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Serbisë nga periudha e para luftës.
“Është e vështirë të flitet për stabilitetin dhe paqen në Evropë pa folur për 31 tetorin që është çështja e zbatimit të ligjit që është shumë me rëndësi në Kosovë. Por, që shihet nga Serbia dhe Rusia si mundësi për të përforcuar rrezikun në Kosovë dhe vendet tjera”.
“Ne kemi një çështje që duhet ta përfundojmë në ditët e ardhshme dhe ka të bëjë me targat e makinave”.
“Kur të flasim për paqen dhe stabilitetin mes shumë vendeve duhet të përmendim edhe probleme të tilla teknike siç janë targat dhe kjo del nga ajo që jemi të mësuar me fqinjët tanë verior. Pasi ata [serbët] e marrin një problem të tillë teknik edhe e bëjnë çështje në vete si më të rëndësishëm kështu që gjysma e Evropës, partnerët tanë si ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar po flasin me ne me muaj të tërë për çështjen e targave”.
“Kjo tregon se kur nuk dëshiron të zgjedhësh probleme bazike, dëshiron të humbësh kohën me gjëra të vogla”, tha Gërvalla.
Gërvalla, në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi që në marrëveshjen finale duhet të ketë njohjen reciproke që siç thotë kryediplomatja do t’i ofronte paqe dhe stabilitet gjithë rajonit.
“Dialogu me Serbinë ka të bëjë me njohjen reciproke dhe marrëveshja përfundimtare duhet të jetë kjo. Kjo do t’i ofronte paqe dhe stabiliteti gjithë regjionit tonë dhe një të ardhme më të mirë bashkërisht”.
“Kur flasim për marrëveshjen përfundimtare ne e krijojmë përshtypjen që gjërat në fund duhet të ndodhin në një të ardhme kurdo qoftë ajo dhe kjo nuk është diçka që jam e bindur se pa pasur aktualisht në tavolinën e dialogut pyetjen e njohjes reciproke dhe në vend që të përballemi me këto çështjet teknike do të jetë e vështirë që të arrijmë marrëveshje me fqinjin tonë verior” u shpreh Gërvalla.