Një tjetër veturë Volkswagen Bora ngjyrë hiri është djegur mbrëmë në mesnatë në Leposaviq.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.
“Po mund të konfirmoj që një veturë Volkswagen Bora me targa RKS është djegur mbrëmë pas mesnate në Leposaviq”, ka thënë Hoti.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin duke thënë se janë duke u zhvilluar hetimet.
Ndryshe, një ditë më parë në Leposaviq ishte djegur automjeti i një rreshteri policor.
Lidhur me rastin e djeshëm nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë për të ditur se ka hapur rast në drejtim të veprës penale “Zjarrvënia”.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni ka thënë se kryerësit e kësaj vepre janë të panjohur.
“Prokuroria në bashkëpunim me policinë është duke i hetuar këto raste. Për rastin e datës 26 është hapur rast në drejtim të veprës penale “Zjarrvënia”. Për rastin e datës 26 tetor kryerësit janë të panjohur”, ka thënë Preteni.