Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë, pasi siç tha, kjo padrejtësi e madhe për kosovarët duhet të përfundojë pa kritere të reja teknike.
Në një konferencë për media bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Osmani tha se edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret, Kosova sa i përket vizave po vazhdon të trajtohet me një standard tjetër.
“Kosova për fat të keq sa i përket vizave vazhdon të trajtohet me një standard tjetër. Qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës edhe pse kemi bërë reforma në sundimin e ligjit. Përkundër plotësimit të të gjitha kritereve, akoma nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave”, deklaroi ajo para mediave.
“Realiteti qëndron që shtetet anëtare të BE-së ende nuk e kanë marrë vendimin brenda Këshillit, prandaj shpresojmë që kjo padrejtësi e madhe të përfundojë pa kritere të reja teknike që do ta bllokonin vendimmarrjen politike”.
Tutje, Osmani shtoi se vizita e Von der Leyen rikonfirmon përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
“Është vendimtare që BE-ja të na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë në përballje me krizat me të cilat po ballafaqohemi. Shpresojmë që nëpërmjet një bashkëpunimi të afërt do të identifikojmë mekanizmat e duhur për lehtësimin e përballjes me rritjen e çmimeve të energjisë, investime në projekte në burime të ripërtërishme të energjisë, investime në përmirësimin e infrastrukturës së energjisë dhe në masa të eficiencës së energjisë”.
Sipas saj, ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.
“E dimë që jeni plotësisht e përkushtuar për integrimin e rajonit tonë dhe mendoj se vizita juaj është dëshmi për këtë”.