Qeverisja e re në Preshevë po zotohet se nuk do të jetë e nënshtruar nga udhëheqja autoritare e Aleksandër Vuçiqit. Kryetarja e sapo zgjedhur e komunës së Preshevës, Ardita Sinani foli për prioritetet e saj, duke u zotuar se do të jetë bashkëpunuese me opozitën.
Mandati nuk iu dorëzua nga ish-kryetari Shqiprim Arifi. Përveç kësaj, thotë se, në zyrë munguan edhe gjëra të tjera.
“Është fakt që nuk është bërë pranim-dorëzimi. Nuk kemi gjetur asgjë këtu në zyrë nga dokumentacioni, as hard-disqet në kompjuterë nuk kanë qenë”, tha Sinani.
“Por e jona është që ne duhet të vazhdojmë reformat. Jemi një qeverisje reformatore. Jemi një ndër komunat e pakta në Serbi dhe rajon që kemi marrë përgjegjësi që të qeveriset nga një grua”, tha Sinani për RTV21.
Sinani bëri të ditur se për tre muaj në një drejtori është shpenzuar 85 për qind e buxhetit duke theksuar se do të vazhdojnë hetimet.
“Aty ku dyshohet në keqpërdorime ne si pushtet i ri duhet të kontraktojmë revizorë të jashtëm, revizorë të brendshëm për të hetuar punën aty ku po dyshojmë në keqpërdorime dhe kjo do të jetë një reformë”, shtoi ajo.
Pavarësisht akuzave që kanë pasur për njëri-tjetrin, Sinani thotë se do t’i ofrojë bashkëpunim Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe. Por thotë se nuk do të merret me akuzat që ka pasur ish-kryetari.
“Jemi qeverisje me shumicë shqiptare. Është një nga komunat e pakta në vend që nuk kontrollohet nga pushteti qendror në Beograd”, theksoi Sinani.