Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, bëri me dije se do të pyesë mbrojtjen dhe prokurorinë, nëse parashikojnë të hasin ndonjë vështirësi në rastin “Thaçi e të tjerët”. Nëse jo, atëherë ai do t’ia kalojë çështjen trupit gjykues, para fundit të këtij viti, në mënyrë që të fillojë procesi gjyqësor.
Me 4 nëntor duke filluar nga ora 13:30, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të mbahet seanca përgatitore e radhës, në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në lidhje me këtë proces, në njoftimin e publikuar nga Dhomat e Specializuara, saktësohet se në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, Zyra Administrative, dorëzoi me 20 tetor, raportin e nëntë mbi pjesëmarrjen e viktimave.
“Në raport, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave rekomandon që 11 nga 19 parashtruesit e kërkesave të pranohen si viktima në proces”, deklaron Zyra për Media e Dhomave të Specializuara.
Kështu, sipas Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave, krimet që ata pretendojnë se kanë pësuar, përkojnë me vendet dhe kohët e përmendura në Aktakuzë.
“Viktimat flasin gjuhën shqipe dhe/ose serbe dhe banojnë në shtete të ndryshme. Ndër ta përfshihen viktimat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Viktimat e drejtpërdrejta tregojnë se kanë pësuar dëm për shkak të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe/ose torturës në një nga vendet e ndalimit që përmenden në aktakuzën e konfirmuar”, sqarojnë Dhomat e Specializuara, raporton RTKlive.
Bazuar në njoftimin zyrtar, viktimat e tërthorta pretendojnë se kanë pësuar dëm si rezultat i përndjekjes, ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës, zhdukjes me forcë dhe/ose vrasjes së paligjshme të një anëtari të familjes.
“Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave vlerësoi se të gjitha viktimat kanë pësuar krime të ngjashme me ato që pretendohet se janë kryer nga të njëjtët kryes në çështjen ‘Thaçi dhe të tjerët’”.
“Për rrjedhojë, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave rekomandoi që 11 viktimat e tjera të përfshihen në grupin ekzistues prej 32 viktimash pjesëmarrëse në këtë çështje dhe të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash”.
Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave konstatoi më tej se, ashtu si në rastin e grupit ekzistues të viktimave pjesëmarrëse, të 11 parashtruesit e kërkesave duhet të konsiderohen veçanërisht të cenueshëm pasi vuajnë ende nga trauma dhe shprehin frikë dhe shqetësim për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre, nëse identiteti i tyre bëhet i njohur.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar konferencën e radhës mbi ecurinë e kësaj çështje gjyqësore për të premten e ardhshme, më 4 nëntor 2022, në orën 13:30.
Ndër pikat që do të diskutohen, sikurse u bënë me dije në urdhrin për caktimin e datës së konferencës, përfshihen procesi i nxjerrjes së materialeve, listat e dëshmitarëve, si dhe ecuria hetimeve të mbrojtjes.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.