Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka reaguar pasi Departamenti Amerikan i Shteti ka kërkuar shtyrjen e afatit për targa, jo implementim në faza.
Ajo e ka quajtur “shqetësuese” deklaratën e DASH-it.
“Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një konference direkte nga Washingtoni të Zëdhënësit Ned Price, posa lëshoi edhe një deklaratë shqetësuese rreth vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targat: ‘Ne kërkojmë shtyerje të plotë të vendimit për targat. Ne nuk kërkojmë shtyerje të pjesshme. Nuk na duhet implementimi me faza.’ – tha para pak minutash zëdhënësi Price!”
Haradinaj Stublla, ka thënë se Perëndimi dëshiron t’a mbajë sa më afër vetës Serbinë, duke mbyllur sytë pas shkeljeve të vazhdueshme, me ç’rast ajo ka përmendur edhe sjelljen e fqinjit me zëvendëskryeministrit Bislimit.
“Për shkak të luftës në Ukrainë, dhe afërsisë së Serbisë me Rusinë, shihet qartë që Perëndimi dëshiron t’a mbajë sa më afër vetes Serbinë, duke mbyllur sytë përpara shkeljeve të vazhdueshme që bëjnë. Në reagim eklipsohet totalisht sjellja e Serbisë ndaj ZvKM Bislimi (shkelje flagrante e marrëveshjes për shkëmbimin e vizitave), si dhe instrumentalizimi i vazhdueshëm që Serbia ua bën serbëve të Kosovës duke i nxitur për dhunë, tensione, e mospërfillje ndaj organeve të rendit e sigurisë së Kosovës”, tha ajo.
Mes tjerash, ajo shkruan: Presionin asimetrik ndërkombëtar ndaj saj, Kosova mund t’a përballojë e tejkalojë vetëm me unitet politik përballë Serbisë, me qëndrime të përbashkëta e të fuqishme, e koordinim ndërpartiak. Çdo kalkulim për vota përmes temës së dialogut me Serbinë, po bëhet në kurriz të Kosovës. Koha t‘i themi mjaft më kësaj praktike të dëmshme. Këtë e don populli!