Një mosmarrëveshje mes dy të rinjve dje në fshatin Novosellë të Pejës ka eskaluar në përleshje mes tyre, ku përpos grushteve u përdorën edhe mjetë të mprehta. Si pasojë e kësaj, një 21-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë.
Sinjali mëson se në ngjarje është përfshirë edhe një i mitur, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar me thikë 21-vjeçarin, duke i shkaktuar atij lëndime trupore.
Si pasojë e lëndimeve të marra, i riu është dërguar me urgjencë në Emergjencë ku ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe konfiskuar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe i mituri është dërguar në mbajtje për 24 orë.