Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur në lidhje me zhvillimet e Procesit të Berlinit, samit ky i liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet aktualisht në Berlin, nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Ai tha se së shpejti do të nënshkruhen tri marrëveshje mes të gjashtë shteteve të BP-së, Kosovë, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë.
“Po krijojmë një rajon më të mirë e më të integruar, edhe më afër vlerave të BE-së. Sesionet punuese në Samitin e liderëve të shteteve të Procesit të Berlinit ku flasim për bashkëpunimin rajonal, për tregtinë e përbashkët rajonale dhe sigurinë e furnizimit dhe transformimit. Së shpejti do të nënshkruajmë tre marrëveshje rajonale për lirinë e lëvizjes me kartë identiteti, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve”, shkroi Abazoviqi në Facebook.
Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.