Sot u mbajt samiti i radhës i Procesit të Berlinit, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku u nënshkruan tri marrëveshjet e arritura.
Gazetari i Klan Kosova, Besnik Tahiri, i cili përcolli ngjarjen nga Berlini, tha se në këtë samit u pa trajtimi i barabartë që iu bë Kosovës me shtetet tjera.
“Platforma e vetme politike ndoshta në Evropë ku Kosova trajtohet e barabartë me të gjitha shtetet tjera, është pikërisht Procesi i Berlinit, ku flamuri i Kosovës pikaste në mesin e të gjithë flamujve tjerë”, tha Tahiri në Info Magazine.
Pjesëmarrës në këtë samit ishte edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili ishte vënë në siklet kur është pyetur nëse Greqia do e njoh Kosovën shtet.
“Mitsotakis ishte pak i nervozuar kur ne gazetarët nga Kosova e pyetëm nëse ka lëvizje drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit helen”, tregoi gazetari Tahiri.
Tahiri tha se Kurti doli goxha i ngazëllyer nga samiti, ndërsa Bërnabiq është parë komplet e palumtur dhe se i ka duartrokitur më së paku këto marrëveshje, ndonëse vetë i ka nënshkruar.
Një moment tjetër kur Bërnabiq dhe ekipi i saj nuk u ndien mirë, ishte edhe takimi i veçantë me kancelarin Olaf Sholz, pasi në anën e saj të majtë ka pasur flamurin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës.