Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka hedhur poshtë spekulimet që ngritën udhëheqësit serbë mbi procesin e aplikimit të Kosovës në Këshill të Europës se po ngec. MPJ në një përgjigje për Gazetën Express tha se procesi është duke u trajtuar seriozisht në Këshillin e Europës dhe se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, derisa nga Këshilli i Europës refuzuan të zbulojnë informata.
Për mbledhjen e djeshme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës u spekulua nga Serbia se tema e Kosovës nuk u fut në agjendë, derisa në mediat serbe u prezantua si një ditë kyçe. Këto pretendime u rrëzuan nga MPJ e Kosovës, e cila tha se ato që u raportuan dje ishin plotësisht dezinformata.
“Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Europës është proceduar nga Sekretarja e Përgjithshme tek Byroja e Komitetit të Ministrave dhe së shpejti pritet të procedohet tek Asambleja Parlamentare për opinion”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
“Mbledhjet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, janë të rregullta dhe mbahen disa herë në muaj. Spekulimet se aplikimi i Republikës së Kosovës do të votohet në mbledhjen e 3 nëntorit (ditën e djeshme), janë dezinformata të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, ashtu sikurse ishin ato për datën e 5 tetorit”.
MPJ gjithashtu konfirmon se Kosova ka përkrahje nga shumica e shteteve anëtare të organizatës europiane për të drejtat e njeriut.
“Procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës është iniciuar tashmë dhe pjesa dërrmuese e vendeve anëtare janë shprehur në mbështetje të këtij procesi”.
Me entuziazëm ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dje i tha gazetës serbe “Danas” se Irlanda, e cila mban kryesimin në Komitetin e Ministrave, nuk e ka ngritur çështjen e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim të Kosovës në KiE të mërkurën. Por, edhe për këtë MPJ e Kosovës e thotë krejtësisht të kundërtën.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e falënderon Presidencën Irlandeze, e cila ka trajtuar aplikimin e Republikës së Kosovës me seriozitet të lartë. Përgjatë kësaj periudhe është vërtetuar proceduralisht se pretendimet e Serbisë kundër aplikimit të Republikës së Kosovës janë plotësisht të pabaza dhe që nuk ka asnjë pengesë legale për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës”.
Nga Strasburgu në një përgjigje nuk dhanë informata mbi procesin e aplikimit të Kosovës, duke thënë se kjo procedurë është konfidenciale.
“Megjithatë, duke qenë se puna e Komitetit të Ministrave është konfidenciale, nuk ka asgjë të re që mund ta komunikojmë në këtë fazë”, tha një zëdhënës nga Këshilli i Europës.
Pas përjashtimit të Rusisë nga KiE, Kosova në mesin e majit dorëzoi zyrtarisht aplikimin për të zënë vendin e saj, duke u bërë kështu vendi i 47-të në organizatën më të vjetër europiane.
Muajin e kaluar, zëri i Kosovës u dëgjua për herë të parë në Asamblenë e Përgjithshme të KiE, ndërsa rezervoi edhe vende për deputetët kosovarë. Saranda Bogujevci ishte ajo që dëshmoi edhe për historinë e masakrës së familjes së saj derisa po fliste për agresionin që po shkakton Rusia në Ukrainë.