Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të hënën (17 maj 2021), duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë protestë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, raporton Gazeta Enima.
Protesta do të mbahet pas raportimit të një rasti të sulmit seksual ndaj një nxënëse të klasës së parë në Prishtinë.
Arsyeja e kësaj proteste është që të futet edukata seksuale si lëndë në shkolla, të ketë ambiente të sigurta për nxënësit dhe të punësohen punëtorë socialë dhe psikolog në shkolla.
Gjeni më poshtë njoftimin e plotë:
Dje, në shkollën “Faik Konica” u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave.
Vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike.
Andaj, nesër, në ora 12:00, mblidhemi pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të protestuar kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore.
Protesta do t’i ketë tri kërkesa kryesore:
1. Futja e edukatës seksuale në shkolla;
2. Ambiente të sigurta për nxënëset/it;
3. Punësimi i punëtoreve/ëv socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.
Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik.