Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar sot bisedë telefonike me homologen e tij kosovare Vjosa Osmani mbi situatën e tensionuar në veri.
Në një shkrim në Facebook, Begaj ka theksuar se me presidenten Osmanin kanë biseduar edhe mbi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
“I shpreha shqetësimin presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke pasur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO”, ka shkruar Begaj.
Ai ka theksuar se mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik i Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.