Çka po ndodh? Serbët e Kosovës po sulmojnë ashpër Listën Serbe

Çka po ndodh? Serbët e Kosovës po sulmojnë ashpër Listën Serbe

Lista Serbe e mbajti një tubim të vogël në veri të Mitrovicës në të cilin u mbajtën disa fjalime patetike. Krejt kjo, pasi kishin vendosur në mënyrë të papërgjegjshme që zyrtarët serbë të braktisnin institucionet e Kosovës. Por, a po e humbin pushtetin këta politikanë?

Vendimi i Listës Serbe që të braktisen institucionet e Kosovës nuk do të ketë vetëm pasoja politike. Ai do të rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë serbë me kushte të vështira ekonomike.

Sot

Dhe, me sa duket, kjo nuk është bërë ‘hesap’ fare nga politikanët si Goran Rakiq, për të cilin është raportuar se ka një pasuri goxha të madhe.

Kritikat për një gjë të tillë gjatë ditës i shprehën edhe Aleksandër Arsenijeviq, politikan dhe Stefan Veljkoviq, analist. .

“Në veri të Kosovës, më të prekurit janë ata që nuk kanë (do të kenë) rroga, dhe për dallim nga ata që marrin disa rroga njëherësh, jetojnë dhe mbijetojnë me familjet e tyre këtu.” – tha Aleksandri.

Ndërkohë, Stefani përmendi premtimin e Listës serbe se sapo të dilnin zyrtarët serbë nga puna do të merrnin paga nga Serbia.

“Tash janë heshtur (politikanët e Listës Serbe).” – u shpreh ai, duke vazhduar edhe me kritika të tjera.

Edhe më e ashpër në gjuhë ishte Lëvizja qytetare “Odgovor” që përmendi edhe numrin e pak të pjesëmarrësve në tubimin e thirrur.

“Thirrjes së Listës Serbe iu përgjigj një numër mjaft i vogël qytetarësh të Kosovës, më pak se 2500. Dhe akoma më pak prej nesh iu përgjigjën presionit për t’u mbledhur në protestën e sotme. Mosbindja civile si përgjigje ndaj politikës tradhtare të SNS-së dhe Listës Serbe është dëshmi e kësaj që po himbin krejt mbështetjen,” – shkruajtën ata në llogarinë e tyre në Twitter.

Përtej numrit të personave që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, përshtypje lane edhe fjalimet që ishin të mbushura me përkrahje për presidentin Vuçiq dhe që në mënyrë të çuditshme përmendnin shpesh fjalën “paqe” përkundër që kishin marrë atë veprim radikal.

‘Dje’

Kritikat nga serbët për Listën Serbe kanë qenë të vazhdueshme edhe në të kaluarën. Por, gjërat duken mjaft të ndryshme kohët e fundit pas invazionit të Rusisë në Ukrainë.

Grupet radikale në veri raportohej se i kishin dalë kundër vijës zyrtare të Qeverisë së Serbisë, shkruan Nacionale.

“Ndërsa Vuçiç ishte gati të fitonte për shkak të trysnisë së tij ndaj mediave dhe institucioneve shtetërore, fitorja u ndihmua nga lufta në Ukrainë, e cila e lejoi atë të kultivonte imazhin e tij prej një burrështetasi të kujdesshëm. Por dëshira e Vuçiqit për t’u dukur si burrështetas dhe për të mbajtur kontrollin e parlamentit mund të minohet nga pakënaqësitë e forta pro-ruse dhe antiperëndimore në shoqërinë serbe që ai vetë ka inkurajuar”, shkruante Florian Bieber për Foreign Policy në një shkrim të titulluar “Fitorja Pirrike e Aleksandër Vuçiqit”.

Ja çka thoshte së fundi analisti Stefan Veljkoviq më 27 tetor:

“Burimi i krejt problemeve qëndron në faktin që askush përveç serbëve në veri nuk beson se përfaqësuesit aktual politikë – disa i quajnë “Lista Serbe” – do të bëjnë diçka për të përmirësuar pozicionin e popullit serbë, përveç një grupi të vogël dëgjuesish të verbër. Kjo mund të shihet më së miri që herën e fundit ishin vetëm nja njëqind vetë në barrikada në vend të dhjetëra mijërave. Askush s’beson më në qëllimet e tyre të mira.” – argumentonte ai.

Humbja ose jo e përkrahjes së Listës Serbe do të mund të shihej edhe në rast të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe ku kryetarët e tyre dhanë dorëheqje.

Në bazë të rezultateve zgjedhore, Lista Serbe fitonte rreth 95 për qind të votave të komunitetit serb në vend.

Related Articles