Sikurse detyrën, Goran Rakiq ka dorëzuar në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim edhe veturën zyrtare.
Prej të martës, automjeti që u përdorë gjatë prej tij, ani se ka kohë që nuk mori pjesë në punët e Qeverisë, mbeti në parkingun e Ministrisë.
Rakiq me stafin, përveç dy automjeteve dorëzuan edhe të gjitha mjetet e tjera zyrtare të punës.
Këtë e konfirmon zëvendësministri Mevlud Hasani.
“Dje, i gjithë stafi i tij i kanë dorëzuar të gjitha mjetet me të cilat kanë qenë të ngarkuar, përfshirë automjetet, kompjuterët dhe gjërat e tjera, përveç dy këshilltarëve të tij, që akoma nuk i kanë dorëzuar dy llaptopë me arsyetimin që ata do t’i përdorin për t’i nxjerrur disa gjëra të tyre, pastaj do t’i dorëzojnë”, ka thënë Mevlud Hasani – Zv.ministër për Komunitete dhe Kthim.
Ndryshe nga Rakiqi dhe stafi politik serb, dorëheqje nuk dhanë edhe pjesëtarët e këtij komuniteti që punojnë si staf civil në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
“Gjendja në ministri është e qetë, është normale, puna po vazhdon normalisht. Për veprimet e tjera presim reagimin e kryeministrit”, ka theksuar Mevlud Hasani – Zv.ministër për Komunitete dhe Kthim.
Gjatë së martës, edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës që dhanë dorëheqje në vikend, dorëzuan armët dhe pajisjet e tjera.
RTV Dukagjini është në pritje të disa përgjigjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të mësuar nëse edhe zyrtarët e tjerë serb që dhanë dorëheqje në disa prej institucioneve qeveritare, i kanë dorëzuar mjetet zyrtare të punës por kjo ministri nuk është përgjigjur.