Aksion në disa Call Center, arrestohen 14 persona në mesin e tyre një i huaj

Aksion në disa Call Center, arrestohen 14 persona në mesin e tyre një i huaj

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën e 8 nëntorit 14 persona, në mesin e tyre një shtetas i huaj, pasi që të njëjtit kanë kryer veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës,  Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, respektivisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka zhvilluar një aksion policor në disa qendra të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ në disa lagje të Prishtinës.

Policia e Kosovës, ka zbatuar autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe urdhëresën e Gjykatës, që kanë të bëjnë me identifikimin e disa personave të dyshuar, arrestimin e tyre, marrjen në pyetje, kontrollin e lokacioneve të personave të dyshuar dhe sekuestrimin e provave.

Po ashtu, Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ky hetim disa mujor është bërë  në bashkëpunim me Autoritetet Gjermane.

Në komunikatën e përbashkët të policisë dhe prokurorisë, bëhet e ditur se ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë.

“Gjatë komunikimeve ata kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

Të njëjtit me këto veprime kanë kryer veprat penale ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ neni 327,  ‘’Mashtrimi’’ neni 323 si dhe  ‘’Shpëlarja e parave’’ neni 302.

Vlen të theksohet, se operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësive të ndryshme policore (patrulla policore, Njësitë e Krimteknikës, Njësia K-9).

“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katërmbëdhjetë (14) persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Personave u janë sekuestruar edhe sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedura të mëtutjeshme.

“2 vetura, 167 kompjuter desktop, 3 kompjuter laptop, 21 telefona mobil, 2 DVR, 2 HDD, 2 USB memorie, Dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin”, shkruhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale dhe PK-së.

Vlen të theksohet, se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Related Articles