Dhjetëra konferencave përgatitore u ka ardhur fundi.
Kështu, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka vlerësuar se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe Prokuroria i kanë kryer obligimet në procedurën paraprake.
Dhe, gjykimi do të nis së shpejti. Vendimin do ta marrë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trëndafilova, e cila ka paralajmëruar se procesi mund të filloj në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2023.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, që ka monitoruar procesin, tregon se gjykimi nuk pritet të zgjasë aq sa e kishte parashikuar në fillim Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Tani më pritet që të filloj shqyrtimi i këtyre provave, dëgjimi i dëshmitarëve. Tanimë kemi dëgjuar që Prokuroria ka propozuar t’i dëgjoj më shumë se 300 dëshmitarë dhe secili dëshmitarë nëse dëgjohet dy deri në tre ditë mesatarisht, atëherë shqyrtimi kryesor do të vazhdoj ndoshta pak më shumë sesa shqyrtimi i procedurës paraprake”, ka thënë Alia.
Zvarritjes së gjykimit, avokati Artan Qerkini tregon se i kontribuoi mjaftë Zyra e Prokurorit.
“Ata (prokuroria) janë deklaruar se janë të gatshëm që procesi të filloj qysh në vitin 2021, në qershor. Mirëpo, nga konferencat statutore po vërehet se ata edhe tani në nëntor të vitit 2022, nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre për zbulimin e provave, e pa zbulimin e provave ashtu siç e parasheh rregullorja nuk mund të shkohet në shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë Qerkini.
Qerkini, avokat i licencuar nga Specialja tregon se Gjykata duhet të kujdeset për dy gjëra.
“Gjykata i ka dy obligime. Obligimin me e zbulu të vërtetën dhe e ka për obligim që procesi të zhvillohet brenda një afati të arsyeshëm. Këtë kompromis duhet ta gjejë Gjykata. Prandaj, jo çdo provë e propozuar nga prokuroria duhet të administrohet si provë, nëse Gjykata mendon se ajo provë është e parëndësishme dhe është në funksion të zvarritjes së procedurës gjyqësore”, ka shtuar Qerkini.
Para pak ditësh, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, i kanë bërë dy vite që po qëndrojnë në paraburgim. (RTV Dukagjini)