Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani është shprehur shumë i lumtur për fitoren ndaj Llapit në Podujevë. Ai ka thënë se ndeshja ishte si finale, për shkak të synimit që e kanë vënë për të përfunduar në vendin e tretë.
“I përgëzoj lojtarët për angazhimin. Ishte lojë mjaft e vështirë. U mbrojtëm shumë mirë, ndonëse na vuri në vështirësi Llapi në fund. I falënderoj edhe tifozët për mbështetje, që është plus shumë i madh për ne”, ka thënë Ramadani.
“Kishim disiplinë taktike, ndonëse vinim nga derbi ku shpenzuam shumë energji. Erdhi momenti, ndëshkuam Llapin dhe menaxhuam më pas rezultatin deri në fund. Uroj lojtarët, janë heronjtë e Gjilanit”, ka theksuar tutje Ramadani.
Ai shpreson që situata te Gjilani të rregullohet së shpejti. Ka thënë se Gjilani është në rrugë shumë të mirë për të siguruar daljen në Evropë.