Sulmuesi i Prishtinës, Igball Jashari, është ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës U19.
Igballi (17-vjeçar) që është pasardhës i familjes legjendare të Jasharajve nga Prekazi i Skënderajt, tashmë është grumbulluar me Kosovës U19 që drejtohet nga përzgjedhësi Ramiz Krasniqi
Kosova U19 nga 15 nëntori deri më 23 nëntor do të qëndrojë në Suedi, ku do t’i zhvillojë ndeshjet e fazës ‘Main Round’ për kualifikimet e Kampionatit Evropian.
“Dardanët” bëjnë pjesë në Grupin 3, ku janë edhe Ukraina, Qipro dhe Suedia, si nikoqire e turneut kualifikues.
Djelmoshat e drejtuar nga Ramiz Krasniqi janë grumbulluar të shtunën dhe janë duke u stërvitur në Kampin Nacional në Hajvali, teksa më 15 nëntor do të marrin rrugë për në shtetin skandinav.
Ndeshjen e parë, Kosova U19 do ta luajë kundër Ukrainës, më 17 nëntor, në orën 13:00 në “Nya Parken Stadium” në Norrkoping.
Më pas, më 20 nëntor, në të njëjtin stadium, “Dardanët” do të ballafaqohen me Suedinë, në orën 18:30, derisa ndeshjen e fundit e luajnë kundër Qipros, më 23 nëntor, në orën 18:00 në “Linkoping Arena Stadium” në Linkoping.