Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se serbët e Kosovës kërkojnë vetëm respektimin e Marrëveshjes së Brukselit në lidhje me targat.
Ajo tha se pajtohet me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili tha se 21 nëntori nuk duhet t’i gjejë Kosovën e Serbinë pa një marrëveshje në lidhje me këtë çështje.
“Partnerët tanë evropianë dhe partnerët tanë në SHBA nuk mund të tolerojnë më shkelje të njëanshme të të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe shpresoj se një marrëveshje me siguri do të arrihet”, tha Bërnabiq për Tanjug.
Ajo theksoi se serbët nga Kosova kërkojnë që Prishtina të fillojë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit , të nënshkruar në vitin 2013, e cila garanton BE-në se do të respektohen të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me targat e veturave, të cilat janë nënshkruar më herët.
“Kemi punuar shumë për ta ndërtuar Serbinë dhe pastaj Kosova e Kurti kthehen për të zgjidhur disa gjëra, të cilat janë tashmë të zgjidhura”, tha ajo, e cila shtoi se sipas saj, të gjithë presin që Serbia të jetë gjithmonë fleksibile dhe tolerante tej mase.
“Bëhet fjalë për shtetin e së drejtës dhe për faktin se kredibiliteti i BE-së vihet në pikëpyetje nëse nuk zbatohet Marrëveshja e Brukselit”, tha ajo.
Kujtojmë se dje ishte Borrell ai që kërkoi nga Kosova e Serbia t’i ulin tensionet dhe para datës 21 nëntor – datë kjo kur hyn në fuqi hapi tjetër i vendimit të Qeverisë së Kosovës ku hynë në fuqi masa e dënimeve për të gjithë ata që s’i konvertojnë targat ilegale në ato legale.
”Ne s’mund të arrijmë në këtë datë pa një marrëveshje, sepse kalojmë në një nivel rreziku”, u shpreh Borrell, referuar tensioneve të krijuara si rezultat i vendimit për targat.