Komiteti i Përhershëm i Komisionit Shtetëror kundër Dhunës, Racizmit, Ksenofobisë dhe Intolerancës në Sport ka rënë dakord këtë të mërkurë që ndeshjen mes Barcelonës dhe Real Madridit, e cila do të zhvillohet më 25 tetor në “Spotify Camp Nou”, ta klasifikojë si ndeshje me rrezikshmëri të lartë.
“El Clásico” e parë e sezonit pritet të zhvillohet në një atmosferë jashtëzakonisht të tensionuar, si pasojë e ankesave të vazhdueshme të Real Madridit ndaj vendimeve të gjyqtarëve, veçanërisht për atë që ndodhi në dy ndeshjet e fundit të kampionatit.
Fillimisht, në derbin ndaj Atletico Madridit, Reali u ankua për ndërhyrjen e ashpër të Kang-in Lee ndaj Fede Valverdes, për të cilën gjyqtari Ortiz Arias nuk e ndëshkoi futbollistin me karton të kuq.
Një përjashtim i tillë mund të kishte ndikuar ndjeshëm në rrjedhën e ndeshjes, veçanërisht pasi Huijsen u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një ndërhyrjeje ndaj Giuliano Simeones, që rezultoi me penallti, në fillim të pjesës së dytë.
Këtyre ankesave u shtohen edhe kritikat për përjashtimin e Viniciusit, pasi kapi nga fanella Saliban në ndeshjen e së shtunës kundër Villarrealit.
Ky pezullim mund ta lërë brazilianin jashtë edhe ndeshjes së 25 tetorit.
Real Madridi po e vë në pikëpyetje edhe kartonin e verdhë të treguar ndaj Konatés, duke pretenduar se francezi nuk pati kontakt me kundërshtarin.
Në këto rrethana, pritet një angazhim i posaçëm i forcave të policisë para, gjatë dhe pas ndeshjes në “Spotify Camp Nou”, me qëllim garantimin e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve.
