Serbia përmes zyrës së Petkoviqit firmos kontrata me serbët e larguar nga institucionet e Kosovës

Serbia përmes zyrës së Petkoviqit firmos kontrata me serbët e larguar nga institucionet e Kosovës

Serbia përmes Zyrës së saj për Kosovën ka nisur të firmos kontrata me serbët të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës.

Siç bën të ditur zyra që drejtohet nga Petar Petkoviqi, ujditë janë duke u nënshkruar në katër komunat në veri të Kosovës , Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë, të cilët u larguan nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilën prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa mbështetjen e shtetit”, thuhet në deklaratën e zyrës së Petkoviqit.

“Me këto kontrata, serbët që janë larguar nga institucionet do të kenë rregulluar të gjitha obligimet nga marrëdhëniet punë-juridike, pensionale, sigurime shëndetësore etj.”

“Pagesa e këtyre të ardhurave do të fillojë rregullisht dhe qytetarët do të kenë para në llogaritë e tyre tashmë në dhjetor”.

“Prandaj, të gjitha të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Prishtinës, tash do t’i kenë nga shteti i tyre Serbia”, thuhet në një njoftim të zyrës së Petkoviqit.

Serbët vendosën që të largohen nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe ato lokale në veri të vendit pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Related Articles