Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka ironizuar me veprimin e Listës Serbe, deputetët e së cilës sot dhanë betimin si deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pak ditë pasi deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhanë dorëheqje, sot ata u zëvendësuan nga deputetë të rinj të së njëjtës parti, të cilët dhanë betimin solemn në Kuvendin e Kosovës.
Këtë veprim e ka kritikuar, përmes rrjetit social Twitter, ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, aktualisht kryetar Partisë Socialdemokrate në Serbi.
“Lista Serbe doli nga parlamenti i Kosovës, për t’u kthyer sot në të dhe për t’u betuar se do të mbrojë integritetin territorial të Kosovës së pavarur! Dhe ata ende e quajnë atë një lëvizje strategjike”, ka shkruar Tadiq, në një postim në Twitter.
Më tej ai ka pyetur, “kë po duan të bëjnë budalla më shumë këta përfaqësuesit e Vuçiqit?!”
“Përveç betimit për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës së pavarur, lëvizja strategjike’ e tyre [Listës Serbe] edhe sot është një sulm ndjellakeq ndaj Rada Trajkoviqit, sipas të njëjtin model që përdorën për të sulmuar Oliverin [Ivanoviq]!”, tha Tadiq, duke pyetur se “pse po hesht opozita për këtë?!”.
Për kthimin e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës kanë shkruar mediat serbe në Serbi, të cilat kanë thënë se ata janë betuar për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.
Më 7 nëntor, deputetët e mëparshëm të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës ia kthyen mandatin këtij institucioni, si pjesë e vendimit të serbëve nga veriu i Kosovës për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës për shkak të fillimit të zbatimit të masë për riregjistrimin e automjeteve, që kanë targa ilegale të lëshuara në Serbi, në ato RKS.