Stano flet për 48-orëshin e Qeverisë për targat

Stano flet për 48-orëshin e Qeverisë për targat

Takimi i djeshëm maratonik në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, nuk rezultoi si i suksesshëm.

Kjo e shtyu shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ishte edhe nikoqir i takimit, që të japë kritika të ashpra posaçërisht ndaj Kosovës e cila sipas tij, kishte refuzuar propozimin e nikoqirit që të pezullohet zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës sa i përket targave ilegale në veri të Kosovës, deri sa të arrihej një ujdi afatgjate.

Në ndërkohë, kur kishin mbetur edhe pak orë para se të niste shqiptimi i gjobave nga Policia e Kosovës për automjetet e serbëve të Kosovës me targa ilegale në veri, ishte fjala e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, ajo që u dëgjua.

Kryediplomati amerikan në Kosovë kërkoi nga Kurti që ta pezullojë për 48 orë masën për targat, për çka edhe u pajtua shefi i ekzekutivit të Kosovës.

Klankosova.tv ka pyetur BE-në rreth asaj se si po shfrytëzohet ky 48 orësh, dhe ka mësuar se ky afat kohor do të përdoret për të vazhduar bisedimet mes palëve me synimin që të gjendet një zgjidhje.

“Kosova është pajtuar që të shtyjë masën për shqiptimin e gjobave për 48 orë. Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje”.

Ai theksoi se nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, “atëherë BE-ja pret që të dyja vendet të veprojnë në përputhje me rrethanat”.

Tutje, ai foli për takimin e djeshëm, duke thënë se Borrelli ka kërkuar nga palët që të shmangin çdo përshkallëzim të situatës në veri të vendit.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe emisari special i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, kanë pritur kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, për një takim urgjent për ta shmangur çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri të Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi targat”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano theksoi se gjatë takimit, Borrelli ka paraqitur dy propozime të balancuara kompromisi që do ta kishin qetësuar situatën aktuale, por që nuk është arritur ujdi për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve.

“Borrelli iu ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga çdo masë që mund të përshkallëzonte situatën në terren dhe ka treguar se ai pret që palët të angazhoheshin në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e Stanos për Klankosova.tv.

Edhe Kurti ka folur sot për çështjen e shtyrjes për 48 orë të afatit për gjoba. Ai ka theksuar se gjatë kësaj kohe do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për targat.

Related Articles