Skulptorja 21-vjeçare, Eliza Shala, e cila realizoi skulpturën e protestuesit të viteve ’90-ta, Hazir Rexhepi, që i rezistoi protestës ulur këmbëkryq në mes të sheshit në Prishtinë, ka treguar se si i ka lindur ideja për krijimin e kësaj vepre arti.
“Unë vetë nuk e kam përjetuar atë kohë, por kur e kam parë fotografinë e zotëri Hazirit, jam inspiruar tepër shumë dhe kam vendosur për ta hulumtuar sepse nuk kam qenë edhe shumë në dijeni rreth asaj ngjarjeje, kam filluar ta hulumtoj dhe më ka pëlqyer shumë gjesti që e ka bërë ai dhe e kam realizuar”, ka thënë Shala në një intervistë për Klan Kosova.
Ajo tregoi se para se ta realizonte projektin, ka kontaktuar me Rexhepin, nga i cili ka marrë pëlqimin për krijimin e skulpturës.
“Para se ta realizoja, kemi kontaktuar me Faikun dhe e kam informuar në lidhje me projektin dhe e kemi marrë pëlqimin e tij dhe familjes për realizimin e skulpturës”, ka shtuar ajo.
Shala theksoi se kjo skulpturë ishte financuar nga Komuna e Prishtinës, si projekt për përkrahjen e artistëve të rinj.
“Është një projekt që është financuar nga komuna dhe është përfunduar në vitin e kaluar. Kam qenë ideatorja, por ka qenë projekt për përkrahjen e artistëve të rinj, ku kam aplikuar me këtë ide dhe kam fituar këtë projekt”, ka vazhduar ajo.
Ajo tha se realizimi i kësaj skulpture i kishte marrë kohë rreth gjashtë muaj, ndërkaq theksoi se do të qëndrojë në shesh përkohësisht, jo gjithmonë.