Me 77 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ishujt Falklands, që është pjesë e Britanisë së Madhe.
Dje Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands.
Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë mision do të dërgohen deri në shtatë pjesëtarë të FSK-së dhe ai mund të zgjasë deri në tre vite me mundësi vazhdimi dhe me rotacion.
Sipas Qeverisë, FSK-ja në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga buxheti i Kosovës.