Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se sot është hedhur një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për qytetarët Kosovës.
Ai e ka mirëpritur dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për ta kaluar procesin drejt fazave të radhës, deri në vendimin final.
“Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit.”, është shprehur ai.
Ai ka deklaruar se puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, është riafirmuar sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
“Pas shumë viteve ngecje e pritjeve të tejzgjatura, çështja e liberalizimit të vizave ecën tutje në procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, ku faza e radhës është ajo ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian, nga ku presim që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final. Falënderues ndaj Presidencës së Çekisë të Këshillit të BE-së, për vëmendjen e tyre të veçantë dhe përkushtimin në shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces”, ka shkruar Bislimi.
Ndryshe, ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, sot (30 nëntor) kanë rënë dakord për mandatin negociues të Këshillit për rregullacionin për udhëtimin pa viza për qytetarët që mbajnë pasaporta të Kosovës.