Ndalohet për 48 orë i dyshuari për dhunimin e një vajze në Fushë-Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë i dyshuari për dhunim e një 21-vjeçareje në Fushë Kosovë, raporton Gazeta “Enigma”.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se i dyshuari ishte paraqitur si person që ndihmon njerëzit përmes këndimit të Kuranit, ndërkaq rasti ka ndodhur në banesën e tij në Fushë Kosovë.

“I dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit (Rukexhi) për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se prokurori i Shtetit ka bërë kërkesë për ekzaminimin mjekoligjor të viktimës, ndërsa do të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjeko-ligjor për viktimën, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhe tnë njoftim./Gazeta Enigma.

Related Articles