Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar sulmet e sotme në veri të vendit ndaj zyrtarëve policorë e atyre komunalë të zgjedhjeve.
LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët, me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura.
Njoftimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës.
LDK-ja dënon sulmet e sotme dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë.
LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë.
LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri.
LDK – Zyra për Informim.