Njohësi i ekonomisë Dardan Sejdiu, tha se shteti i Kosovës duhet të marrë rol aktiv në tërheqjen e investitorëve të huaj, jo të ketë rolin e spektatorit.
“Është lajm shumë i mirë që ka investitorë që e shohin Kosovën si vend ku mund të ndërtojnë platforma dhe pastaj t’i ofrojnë si shërbime qoftë në tregun e Ballkanit Perëndimor, qoftë në Bashkimin Europian, apo kudo. Më duhet ta potencoj që për të përkrahur investime të tilla shteti duhet të marrë një rol aktiv të veprimit, të ndërmarrjes, jo veç të një spektatori i cili shesh investitorin privat dhe shpreson që ai është i animuar nga rinia të cilën mund ta trajtojë vetë shpejtë. Por Kosovën duhet me e pa si shtet, si pushtet si mundësi për të bërë kapërcim të madh në aspekt të llojit të trajnimit, zhvillimit, edukimit, arsimit që ia japim vendit tonë”, tha Sejdiu në Klan Kosova.
Tutje duke folur për investimet e huaja në vend, Sejdiu tha se Kosova duhet të fokusohet në krijimin e kushteve që të rinjtë ta eksportojnë dijen përmes eksportimit të shërbimeve, e jo të largohen nga vendi.
“Konstruktet zhvillimore të shteteve që pretendojnë të ndërtojnë të ardhme janë konstrukte që mundohen të kuptojnë ku është e ardhmja. Fatmirësisht sot e kemi të qartë ku është e ardhmja, COVID-19, pandemia dhe zhvillimet gjithandej në botë po na tregojnë ku është e ardhmja, e ardhmja është e gjelbër. Kur themi e gjelbër nuk jemi duke folur për parqe, por për llojin e infrastrukturës fizike dhe teknologjike që duhet ta ndërtojmë, e cila e bën këtë planet më efecient në përdorim të resurseve dhe për këtë nevojiten inxhinierë, dije, kapacitete financiare dhe konstrukte edukative, të cilat për këtë botën e gjelbër që po vjen ne jemi të gatshëm të eksportojmë jo vetëm njerëz, që e kemi bërë tash e 60 vjet, por dije”. tha Sejdiu.