Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe rasti do të zbardhet.
Ajo tha se se mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ndërsa, sipas Haxhiut në atë vend ku kanë qëndruar mostrat kanë qasje vetëm tre persona.
“Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos fije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Autorët do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, për këtë nuk ka dyshim e as kompromis”, u shpreh Haxhiu.
Ajo shtoi se lidhur me rastin janë njoftuar institucionet përgjegjëse.
“Menjëherë pas konferencës do të merren masa me përputhje me përgjegjësitë”, tha ajo.
E njëjta shtoi se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet.
Ajo paralajmëroi edhe masa të suspendimit ndaj atyre të cilët kanë qenë në krye të institucionit por “as nuk e kanë pasur mendjen te veprimet dhe përjegjësitë e tyre”.