Ministri për Komunitete dhe Kthim – i cili u emërua javë më parë në këtë pozitë – Nenad Rashiç, ka bërë të ditur se në takimin e parë që do të realizojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, do të kërkojë nga ky i fundit shtyrjen e zgjedhjeve për katër komunat veriore të Kosovës.
Sipas tij në këtë situatë fragjile do të ishte më se e nevojshme që të dyja palët në këtë rast Kosova dhe Serbia t’i qetësojnë gjakrat në atë mënyrë që konflikti të mos përshkallëzohet edhe më shumë.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, gjatë ditës në një deklaratë për mediua nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia duke iu referuar rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të dërgojë një numër të konsiderueshëm të forcës së sigurisë serbe në Kosovë.
Megjithatë sipas Rashiç një gjë e tillë nuk është e mundur.
“Me sa më kujtohet, sipas vetë Rezolutës 1244, Serbia mund të dërgojë 1 mijë forca të sigurisë në Kosovë, vetëm me miratim dhe koordinim me KFOR-in. Dhe në këtë rast, nuk jam i sigurt se KFOR-i po mendon për atë opsion”, ka shtuar Rashiç, raporton e përditshmja serbe, Danas.
Policia e Kosovës, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.
Megjithatë njësitet policore gjatë patrullimit kanë hasur në rezistencë të grupeve të ndryshme të armatosura dhe të maskuara.
Si pasojë e kësaj një polic i Kosovës gjatë patrullimit në Veri është plagosur.
Sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 thuhet në njoftimin e policisë, në fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit të banuar me shumicë serbe.
“Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”, thuhet në raportin e Policisë për media.
Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës.
Në anën tjetër komuniteti ndërkombëtar, më saktësisht Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë, kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në këtë fazë në Veri.