Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është duke vazhduar t’i bëhet presion Serbisë, porse ka disa vija të kuqe të cilat nuk do të kalohen, raporton “Kosovo Online”.
Daçiq ka thënë se serbët në Kosovë do ta kenë mbështetjen e Serbisë.
“Nuk ka negociata për ato që kemi rënë dakord tashmë. Së dyti, nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovë, pra anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. E së treti, nuk ka sulme fizike, pra rrezikim të sigurisë së serbëve. Këto janë vijat tona të kuqe”, ka thënë Daçiq.
Serbët në veri kanë ngritur barrikada nëpër rrugë. Barrikadat janë ngritur të shtunën. Situata në veri është tensionuar ditëve të fundit, ndërsa ka pasur të shtëna me armë e hedhje të shok-bombave, ku një polic i Kosovës është plagosur.
Si pasojë e tensioneve është marrë vendim edhe për shtyrje të zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.