Eksperti i sigurisë Agim Musliu thotë se barrikadat në veri të Kosovës janë vendosur nga bandat serbe terroriste si “Rojat e Urës”, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” e si të tilla sipas tij duhet të largohen sa më parë.
Edhe ashtu, siç thotë Musliu, një situatë e tillë nuk mund të qëndrojë gjatë meqë është e tensionuar. Ai thekson se Policia e Kosovës ka kapacitet e duhura për të intervenuar në këtë aspekt, porse pritet një vendim politik pasi që këto të fundit të largohen.
Në intervistën për KosovaPress, Musliu thotë se prapa bandave terroriste serbe qëndron presidenti Aleksandar Vuçiq derisa shton se në mesin e tyre pjesa dërrmuese janë ushtarë të plotë dhe të trajnuar, si dhe agjente të BIA-s.
Për protestën e paralajmëruar në Serbi, eksperti i sigurisë thotë se ishte e dështuar pasi në të morën pjesë serbë të importuar nga Kosova.
Musliu apelon që forcat terroriste që veprojnë në veri të vendit të largohen sa më parë, qoftë edhe me dhunë.
“Kjo situatë nuk mund të qëndrojë gjatë sepse është e tensionuar dhe së pari më së shumti tension kanë pjesëtarët e pakicës serbe që janë në atë pjesë sepse janë të terrorizuar nga bandat terroriste që veprojnë në veriun e Kosovës. Shembull, udhëheqësit e këtyre bandave, si Milan Radoiçiqi është shfaqur para disa ditëve në veriun e Kosovës, dhe duke i inkurajuar këta terroristë që të qëndrojnë në barrikada dhe të veprojnë dhe sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por është zhdukur pastaj dhe është në hotelin e vet”, thotë Musliu.
“Është një lojë e cila vazhdon të orkestrohet nga Vuçiq për ta destabilizuar Kosovën, por edhe e shtyrë dhe e fryrë shumë nga diplomacia dhe shërbimet sekrete ruse ndihmuar edhe në terren. Pamë që edhe në Beograd ishte organizuar një protestë, disa qindra protestues ishin por të importuar nga Kosova dhe me maska, të cilëve ju dështoi ajo protestë sepse nuk ju bashkëngjit askush. Këto forca terroriste që veprojnë në veriun e vendit duhet të largohen menjëherë. Duhet Serbisë t’i bëhet me dije, jo me fjalë, por me sanksione dhe me vepra tjera dhe me dhunë nëse duhet, sepse dhuna është instrument politik i skajshëm, duhet t’i tregohet se nuk mund të luhet më me flakën e luftës në Ballkan”, shton ai.
Ai tregon se kush qëndron prapa bandave në veri të vendit.
“Grupet e njerëzve që i shihni në televizione janë grupe të organizuara nga presidenti Vuçiq drejtpërsëdrejti dhe nëse analizoni mund të shihni që janë autentike të xhiruara nga televizionet e kontrolluara nga ai dhe nëse analizoni edhe me tepër e shihni se edhe struktura e tyre në moshë nuk dallon shumë, 90 për qind prej tyre janë meshkuj, prej 25 deri në 45 vjet, do të thotë ushtarë të plotë dhe të trajnuar, veshmbathja e tyre është ushtarake, në ndonjë vend mund takohet edhe ndonjë femër, agjende të BIA-s apo përkrahëse të ideve të Vuçiqit. Kjo është ajo që mund të shohin ata njerëz që rrinë në tenda, janë përkrahës të Vuçiqit, janë pjesë e bandave terroriste që operojnë në veriun e Kosovës”, tregon Musliu.
Sa i përket maskave që pjesëtarë të bandave terroriste serbe po i bartin në veri të vendit, ai thotë se konsistojnë në organizimin terrorist të shtetit serb.
“E tërë kjo konsiston në organizimin terrorist të shtetit terrorist të Serbisë, e cila i ka instaluar bandat terroriste në veriun e Kosovës, një pyetje hipotetike, poqë se është kërkesë legjitime e atyre njerëzve, pse i vendosin maskat, çfarë nevoje kanë të fshihen përmes maskave, kjo nuk është legjitime, këta janë bandë terroriste, e cila e cenon rendin dhe kushtetutshmërinë, ligjshmërinë e Republikës së Kosovës duke i sulmuar institucionet e Republikës së Kosovës, gjegjësisht edhe forcat e sigurisë, e veprimtaria e tyre është definicioni i terrorizmit. Andaj, këto janë banda terroriste që veprojnë në veriun e Kosovës e që janë të kontrolluara dhe të komanduara direkt nga presidenti Vuçiq”, shton ai.
Ai komenton edhe kërkesat e Serbisë për lirimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i MUP-it, i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues, për çka thotë se nuk negociohet për terroristë.
“Pantiq duhet të paraqitet në gjykatën e Prishtinës dhe duhet të verifikohet aktakuza ndaj tij. Ai akuzohet për terrorizëm dhe si akt i tillë nuk mund të falet ndaj askujt. Republika e Kosovës nuk negocion me terroristë, me grupe terroriste dhe kjo është e qartë dhe nuk ka asnjë dyshim në asnjë aspekt. Ai duhet të paraqitet në gjykatë si përfaqësues i këtyre grupeve terroriste. Unë mendoj se edhe pjesëtarë të tjerë do të arrestohen dhe do të sillen para institucioneve të drejtësisë të Republikës të Kosovës”, thotë Musliu.
Ndonëse thotë se barrikadat në veri kanë mundur të largohen më herët, njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se Policia e Kosovës është duke i kryer detyrat e saj me përpikëri.
Musliu demandon edhe deklaratat e Vuçiqit i cili kishte mohuar plagosjen e policit Ekrem Neziri, për çka përmendi faktet që ekzistojnë lidhur me këtë sulm.
Për ekspertin e sigurisë, kërcënimet e Vuçiqit për kthimin e trupave serbe në Kosovë bëhen me qëllim të shpërqendrimit nga fokusi kryesor, e që është aplikimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian, që pritet të ndodhë këtë javë.
“Edhe vet Vuçiqi e din se kjo është e pamundur. Prapa kësaj fshihet loja e ‘shahut rus’. Do të thotë, është defragmentimi i ngjarjeve. Së pari ishin tabelat, polici, zgjedhjet e të tjera, për të shpërqendruar nga fokusi kryesor dhe për të përfituar kohë më shumë dhe një pozicion më të favorshëm në bisedime. Edhe vet Vuçiqi e din se me marrëveshjen e Kumanovës gjer në vitin 2003, kjo ide ka vdekur, nuk është e mundur më të ndodhë. Një gjë të tillë e ha hedhur poshtë vet NATO dhe Republika e Kosovës dhe vet Vuçiqi vet ka thënë ‘unë do të tentoj por është e pamundur, por do të tentojë’. Do të thotë në momentin kur ne aplikojmë në BE, ai do të aplikojë për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, për të minimizuar këtë veprim tonin dhe për të frikësuar edhe më tutje shtet evropiane, të cilat nuk e kanë parë fytyrën e vërtetë të tij apo frikësohen nga Rusia e Madhe”, thotë eksperti i sigurisë.
Në krejt situatën që po mbretëron në veri të vendit, Musliu nuk lë pa përmendur as ndikimin e Bashkimit Evropian. Ai konsideron se ndaj Serbisë duhet të vendosen sanksione sikurse ndaj Rusisë.
“Shtetet e Evropës nuk duan ta kuptojnë realitetin që zhvillohet në Ballkan dhe politikën që e zhvillon Vuçiqi, politikën ndihmëse, apo patericën e Vladimir Putinit në Ballkan, duke tentuar ta destabilizojë edhe Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut e të tjera. Evropa në tërësi duhet të jetë shumë më agresive ndaj politikës ruse e cila zbatohet nëpërmjet Vuçiqit në Ballkan. Të gjitha sanksionet ndaj Rusisë duhet t’i aplikohen Serbisë, sepse është zbatuese apo vazhduese e interesave ruse në Ballkan. Nuk ka kuptim nëse vetëm Rusisë i vendosen sanksione, ndërsa në Serbi e ledhatojnë”, thekson ai.
Po ashtu, Musliu përmend edhe për grupin e mercenarëve paramilitarë rusë “Wagner”, i cili ka hapur qendër në Serbi. Sipas tij, gjeneza e tij është në Beretat e kuqe famëkeqe të Serbisë, të cilët bënin krime ne Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci e së fundi në Kosovë, duke kryer veprimtari kundër popullit të pambrojtur. Derisa thotë se “aty ku hasnin në ushtarë të UÇK-së iknin si hienat”.
Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX. Si pasojë, një polic është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.