Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nga mesi i muajit qershor.
“Jam duke pritur që të më njoftojnë. Nëse do të jetë një ditë pushimi për mua do të shkoj, por nëse jo atëherë do të kërkojë që takimi të caktohet për një ditë tjetër”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se ai është gjithmonë i gatshëm për bisedime dhe dialog, transmeton Gazeta Enigma.
Vuçiq i bëri këto komente në Pragë të Çekisë ku të martën dhe të mërkurën ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë çekë.
Pas darkës së punës së udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel më 18 maj, Kurti njoftoi se do të takohej me presidentin e Serbisë në mes të qershorit në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, njofton Radio Evropa e Lirë.
“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, ka thënë Kurti.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur dhjetë vjet më parë. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.