Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e quajti hap të rëndësishëm aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ajo shkroi në Twitter se thelbësore është futja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, derisa shtoi se ritmi i integrimit të Kosovës “do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut”.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është një hap i rëndësishëm. Është thelbësore të inkuadrohet i gjithë Ballkani Perëndimor në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dorëzoi të enjten aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Aplikimin për në BE, Kurti e quajti ditë historike.
“Kjo është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe një ditë e madhe për demokraci në Evropë. Letra që mbaj në vete përmban shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë, të cilët kanë punuar kaq shumë për të arritur këtë ditë. Ajo flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së – me të cilën ndajmë vlera dhe ideale të përbashkëta – si një proces historik nga një projekt politik paqeje dhe prosperiteti. I përgjigjet një vizioni të një Evrope që është e tërë, e lirë dhe në paqe. Ajo shton besimin në një Evropë që ka një të ardhme të ndritshme, bashkëpunuese dhe progresive”, shkroi ai në Facebook.