Nga EULEX e kanë konfirmuar se autoritetet kosovare i kanë kërkuar ndihmë për ta bartur të arrestuarin Dejan Pantiq nga Jarinja në stacion policor. Nuk janë përgjigjur nëse e kanë refuzuar këtë kërkesë, por Pantiq akoma mbahet një stacion të improvizuar, matanë barrikadave.
Autoritetet e Kosovës nuk tregojnë se ku saktësisht po mbahet Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për sulm terrorist. Thuhej se Policia nuk ka arritur ta çojë në qendër të paraburgimit, për shkak të barrikadave dhe ai po mbahej në Jarinje. Aty edhe ishte arrestuar, nga policët e Kosovës, që po ashtu kanë mbetur të bllokuar, pas barrikadimit të rrugëve më 10 dhjetor.
Gazeta Express ka marrë vesh se institucionet e vendit, pasi nuk kanë arritur ta transferojnë vetë të arrestuarin, i kanë kërkuar ndihmë EULEX-it, por ky mision nuk i ka asistuar. Nga EULEX e kanë konfirmuar se autoritetet kosovare ia kanë bërë një kërkesë të tillë.
“Ne e konfirmojmë që EULEX-i e ka marrë një kërkesë nga autoritetet e Kosovës për të ndihmuar në transferimin e D.P”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni për Gazetën Express.
Dejan Pantiq është një ish-polic i Kosovës, që është arrestuar nën dyshimet për organizimin e sulmit ndaj pjesëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe të Policisë, në veri të Mitrovicës, më 6 dhjetor.
Zyrtarë serbë dhe mediat serbe kanë thënë se gjendja e Pantiqit është e keqe dhe se ai nuk po trajtohet mirë. Këtë e ka mohuar Policia, ndërsa EULEX thotë se është duke e monitoruar rastin.
“Misioni është në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale, Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe gjithashtu me avokatin e D.P. Në linjë me mandatin e vet, EULEX është duke e monitoruar rastin për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës”, kanë thënë nga EULEX të premten.
Avokati i Pantiqit, Serxhan Mitroviq, ka thënë për mediat serbe në Kosovë se Pantiq po mbahet “në një objekt në Jarinje” dhe se është i lodhur. EULEX gjatë javës ka lënë të kuptohet se ai po mbahet në Leposaviq.
As Policia e Kosovës, as Prokuroria Speciale nuk janë përgjigjur në pyetjet rreth transferimit të Pantiqit, por Policia me një njoftim publik ka thënë se pas barrikadimit të rrugëve në veri janë krijuar “rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit”.
Përveç për të arrestuarin, mediat në Kosovë kanë raportuar për një numër të policëve që kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare, prej kur u vendosën barrikadat.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje rreth gjendjes së këtyre policëve, për të cilët është raportuar pa të dhëna zyrtare.
Për policët e Kosovës, që raportohet se janë të bllokuar në Jarinjë, EULEX thotë se janë në kontakt dhe në bashkërendim të vazhdueshëm me PK-në dhe me KFOR-in.
“Në lidhje me gjendjen e policëve të Kosovës, EULEX- i, si përgjegjësi i dytë i sigurisë së Kosovës, është në kontakt dhe koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it”.
Sot është dita e gjashtë prej kur janë vendosur barrikadat, të cilët nuk u hoqën as pasi Kosova shtyu zgjedhjet e caktuara për t’u mbajtur në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas dorëheqjes së kryetarëve të tyre në nëntor.
Shtetet e Bashkura të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë kërkesa të vazhdueshme që të hiqen barrikadat. Kosova pret nga KFOR-i dhe EULEX-i të veprojnë.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka thënë se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur ato.