Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha ishte sot temë kryesore në mediat e vendit.
Analisti, Baton Haxhiu, thekson se krahas Berishës nuk përjashtohet mundësia që SHBA të godasë edhe Presidentin e vendit, Ilir Metën.
Ai thotë se kjo gjë mund të ndodhë më vonë, nisur edhe nga fakti se Meta ka pasur një përplasje publike me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.
“Nuk them se z. Meta do ta pësojë menjëherë, për arsye se nga përvoja e gjuhës që përmend DASH ndodhin më vonë. Goditjet vdekjeprurëse politike ndodhin më vonë për shkak të konfliktin që ka pasur Meta me ambasadoren. Ai ka hyrë në një valle të rëndë me shtetin më të fortë në botë, por goditjen nuk do ta ketë menjëherë”, tha ajo.
Më tej Haxhiu përmend edhe një fakt tjetër, kur shprehet se z. Meta mund të goditet për faktin se ka qenë një ndër zërat kryesorë, që ka kundërshtuar modelin e reformës në drejtësi.
“Ka qenë refuzues kryesor i reformës në drejtësi. Për faktin se ka qenë refuzues, Ilir Meta do ta pësojë të njëjtën gjë që pësoi doktor Berisha nuk e di kur, por do të jetë mjaftueshëm që do goditet politikisht, por ndoshta do të goditet më shumë se z. Berisha. Së shpejti në Shqipëri do lindin parti të reja politike”, theksoi Haxhiu.
Analisti Andi Bushati shprehet se vendimi i DASH-it është një shantazh i pastër për Berishën dhe Metën, pasi në pikëpamjen e tyre, ata mund të çonin në radikalizimin e opozitës pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Ky është një shantazh i pastër për faktorët që mund të radikalizojnë opozitën. Kemi një opozitë të qullët, ku të gjithë besojnë se mund ta radikalizojnë Berisha dhe Meta. Goditja amerikane, e pasur ne sirtar prej kohësh dhe e nxjerrë tani të thotë t’i pranojmë Edi Ramës manipulimin e zgjedhjes, blerjen e votës dhe si arrihet kjo? Kjo arrihet përmes opozitës së dobët dhe shantazhuar njerëzit që mund ta radikalizojnë atë si Meta dhe Berisha”, tha ai.