Kurti: Sllovenia, vend mik dhe mbështetës i besueshëm i Kosovës

Kurti: Sllovenia, vend mik dhe mbështetës i besueshëm i Kosovës

Historikisht, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe po forcohen dita-ditës, tha kryeministri Albin Kurti, në pritjen e fundvitit të organizuar nga Ambasada e Sllovenisë.

“Kemi ngjashmëri në histori, një histori ku Sllovenia qëndroi fort me popullin e Kosovës, duke qenë një mik dhe mbështetës i besueshëm. Dhe ne kemi edhe një të ardhme të përbashkët, një të ardhme brenda familjes evropiane, duke ndarë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe vullnetit dhe punës së palodhur për prosperitet socio-ekonomik”, tha më tej kryeministri.

Ai theksoi se sa i përket marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Slloveninë, pa dyshim Sllovenia mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Kosovën. Gjatë viteve të fundit, shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë kanë treguar trende të rritjes së vazhdueshme.

“Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet tona në Slloveni janë rritur, duke arritur në 28 milionë euro, që është një rritje mbresëlënëse prej 180%. Në investimet e huaja direkte kemi parë gjithashtu rritje të jashtëzakonshme nga Sllovenia, nga rreth 6 milionë euro, në periudhën janar-tetor 2021, në rreth 26 milionë euro për të njëjtën periudhë në 2022, një normë rritjeje prej 350%”, theksoi Kurti.

Ai tha se do të punojnë edhe me sektorë privatë përkatës për të forcuar dhe rritur më tej marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Related Articles