Veriu i Mitrovicës pandërprerë ka prezencë të policisë, prej kur u tensionua situata në këtë zonë.
Ekipet e forcave të rendit janë me orar 12 orësh në terren, derisa në këtë pjesë vijnë prej stacioneve të tjera rajonale më larg Mitrovicës.
Por mundësinë për t’u ndërruar nuk e kanë edhe kolegët e tyre në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë bllokuar tash e dhjetë ditë, për shkak të vendosjes së barrikadave në dy magjistralet.
Klan Kosova nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga policia për gjendjen e tyre. Mirëpo, nga burimet e veta, mëson se policëve të bllokuar u janë dërguar rezerva ushqimore dhe veshmbathje. Shqetësimin për ta e ka shprehur edhe Sindikata e Policisë.
Megjithatë, në një komunikatë të lëshuar për media, të hënën, u tha që janë ndërmarrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur situatave dhe kërkesave të qytetarëve.
Katër ditët e para, një grup prej katër policëve u bllokua mes dy barrikadave, pa mundësi lëvizjeje, por që më pas u gjet mënyra për t’i transferuar në stacionin e Leposaviqit.
Policia shton që është e mirëpritur nga banorët në veri. Në Mitrovicë madje ka shumë raste kur qytetarët u ofrojnë ushqim e pije falas. Ndërsa, solidarizimin e bizneseve me ta, e ka bërë publik edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.