Largimi i barikadave pritet të negociohet në Bruksel

Largimi i barikadave pritet të negociohet në Bruksel

KFOR-i ka kërkuar prej Qeverisë Kurti që të mos ndërmarrë asnjë veprim për heqjen e barrikadave deri sa të kryhen Krishtlindjet Ortodokse.

Demokracia.com nga burime diplomatike ka mësuar për këtë kërkesë të KFOR-it, pasi që sipas tyre, pas festave të fundvitit kjo çështje pritet të përfundojë në Bruksel dhe të zgjidhet përmes dialogut në mes të Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Grupe të ekstremistëve serbë në veri të Kosovës, që nga 10 dhjetori kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo ka ardhur kinse si përgjigje e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë.

Pantiqit më vonë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri.

“Ne jemi në koordinim, në komunikim të rregullt, të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-in dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla. Por, mos harroni, ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha kryeministri Kurti.

Autoritetet serbe kanë thënë se janë tronditur “me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.

Related Articles