Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione në mbledhjen e së martës diskutoi lidhur me kërkesën/peticionin e pesë grave-zyrtare në Autoritetin e Aviacionit Civil, lidhur me pretendimet e tyre, kundër diskriminimit gjinor nga ky Autoritet.
Kryetarja e Komisionit, Duda Balje, në vazhdimin e mbledhjes ku i ftuar për të raportuar ishte ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se nga 20 gra të punësuara në këtë institucion, kanë marrë ankesa nga 18 prej tyre.
Ajo bëri të ditur se ankesat lidhen me drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, duke pretenduar se i njëjti në vazhdimësi shkel të drejtat e punëtorëve.
Balje tha se është shqetësuese dhe e rrezikshme që 90 për qind e punëtorëve janë të pakënaqur, ndaj kërkoi nga ministri Aliu të marrë masa.
Ky i fundit nuk pranoi të marrë përgjegjësi për shkeljet që janë bërë deri më tani, pasi siç tha, deri në shtator Autoriteti i Aviacionit Civil ka qenë nën mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës.
“Deri në shtator, Aviacioni Civil ka raportuar në Kuvend dhe në kohën kur është bërë ankesa dhe vendimi i Avokatit të Popullit ka qenë nën mbikëqyrjen e Kuvendit. Ministria e ka marrë nën mbikëqyrje Aviacionin vetëm që tre muaj, pra nga shtatori”, deklaroi Aliu.
Sa i përket drejtorit të Aviacionit ai tha se si ministër nuk ka kompetenca për të marrë vendim për shkarkimin e tij.
“Në Autoritetin e Aviacionit Civil ka probleme bukur të mëdha. Rregullorja e brendshme e punës është hartuar në vitin 2011 dhe prej atëherë nuk është avancuar e as harmonizuar në përputhje me ligjin. Puna e parë që do të bëjmë është ta harmonizojmë rregulloren me ligjin në mënyrë që të ketë sistemim të vendeve të punës”, u shpreh ministri Aliu.
“Aty kemi drejtorë që nuk ka fare staf. Ligji e thotë që s’mund të ketë drejtor e divizione pa pasur staf. Sa i përket drejtorit nuk kam kompetenca si ministër që ta shkarkojë, por jemi duke e pritur raportimin deri në fund të vitit dhe sipas kompetencave, do të marrim masa”.