Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës që luan te Mallorca, Vedat Muriqi, është në radarin e shumë klubeve më të mira evropiane pas fillimit të bujshëm të sezonit të La Ligës, duke shënuar 8 gola në 12 paraqitje.
Klubi më i madh që ka shfaqur interes për nënshkrimin e tij është Real Madridi. Ata janë në treg për të nënshkruar me Muriqin si zëvendësues i Karim Benzemas, i cili vazhdon të ketë probleme me lëndimet.
Sipas gazetës “Il Tempo” dhe kanalit spanjoll të mediave sociale “Fichajes”, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez është një fans i madh i 28-vjeçarit Muriqi dhe e sheh atë si stil të ngjashëm me Benzemën për sa i përket fizikut dhe instinkteve të golave
Mallorca e vlerëson Muriqin në rreth 20 milionë euro edhe pse pretendohet se klauzola e tij e blerjes mund të shkojë deri në 40 milionë.
Nëse Muriqi do t’i bashkohej Real Madridit, me siguri që Mariano Diaz do të largohej nga klubi. 29-vjeçari nuk është pjesë e planeve të Ancelottit dhe është lidhur me një kalim te Lazio në Serie A.
28-vjeçari nga Prizreni iu bashkua Mallorcas në verën e këtij viti nga Lazio për 7.7 milionë euro.