Hysa gati për sfidën historike: Po stërvitem fort çdo ditë

Hysa gati për sfidën historike: Po stërvitem fort çdo ditë

Boksieri shqiptar Nelson Hysa po intensifikon përgatitjet për sfidën më të madhe të karrierës së tij, teksa më 28 nëntor në Düsseldorf do të përballet me Agit Kabayel për titullin botëror të WBC-së në kategorinë e peshave të rënda.

Hysa ka bërë të ditur se po stërvitet maksimalisht për këtë përballje, ndërsa u ka bërë thirrje shqiptarëve që ta mbështesin nga afër.

“Po stërvitem fort çdo ditë për këtë ndeshje. Faleminderit nga zemra për gjithë mbështetjen që po më jepni!”, ka shkruar Hysa.

Ai ka kërkuar nga tifozët që të mos vonojnë me blerjen e biletave dhe të sjellin me vete flamujt kuq e zi dhe plisat.

“Biletat po ikin shpejt, ndaj mos i lini për momentin e fundit. Dhe një gjë… mos harroni flamujt kuq e zi dhe plisat!”.

Përballë Hysës do të jetë Agit Kabayel, i cili do ta mbrojë për herë të parë titullin botëror të WBC-së në peshat e rënda.

Gjermani ka një rekord perfekt prej 27 fitoresh në po aq ndeshje, 19 prej tyre me nokaut. Ai u shpall kampion i WBC-së në qershor të këtij viti, pasi titulli mbeti vakant pas largimit të Oleksandr Usykut.

Edhe Hysa është i pamposhtur në karrierën profesioniste, me 25 fitore në 25 meçe, 23 prej tyre me nokaut.

Për boksierin shqiptar, kjo është mundësia më e madhe e karrierës për të shkruar histori dhe për t’u bërë kampioni i parë shqiptar i botës në peshat e rënda.

Dueli do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena në Düsseldorf, stadium me kapacitet rreth 60 mijë tifozë, ndërsa përballja do të transmetohet drejtpërdrejt në DAZN.

Sfida merr edhe një simbolikë të veçantë pasi do të zhvillohet më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Të dy boksierët hyjnë në ring të pamposhtur, me titullin botëror të WBC-së në peshat e rënda në lojë.

Related Articles