Deputeti gjerman për zhvillimet në veri: Është absolutisht e dëmshme për aspiratat e Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës

Deputeti gjerman për zhvillimet në veri: Është absolutisht e dëmshme për aspiratat e Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës

Deputeti gjerman, Knut Abraham, ka bërë një analizë për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe bilancin e politikës së Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë me DW, ka thënë se është i shqetësuar me zhvillimet në veri të Kosovës, duke shtuar se situata atje po përkeqësohet.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse situata këtu po përkeqësohet. Dhe kjo është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës”, tha Abraham.

Zgjidhje për të kapërcyer këtë krizë, deputeti gjerman e sheh vetëm dialogun me të dyja palët.

“Mbi të gjitha shoh se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë. Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Deputeti Abraham është i mendimit se qeveria federale gjermane është aktive në rrafshin diplomatik.

“Por sigurisht, kur shohim sa keq është situata, lipset më shumë. Mendoj se do të ishte mirë që shumë shpejt të ketë një diplomaci intensive me vizita nga Berlini në rajon, në mënyrë që edhe ne të bëjmë tonën, krahas asaj që duhet të bëjë Brukseli për të qetësuar situatën”, tha në këtë intervistë, deputeti gjerman, Knut Abraham.

I pyetur se çfarë mund të bëjë Qeveria e Kosovës për të kapërcyer këtë situatë, rrjedhimisht për të shtensionuar situatën, ai tha se e njëjta duhet të mendojë për çdo hap para se ta ndërmerr, për të parë nëse e ndihmon qëllimin apo jo.

Ai ka thënë se e mirëkupton qeverinë për zbatimin e vendimit për targat, por pyet nëse tani “është kaq e mençur të zbatohen dënimet”.

“Sigurisht, e kuptoj plotësisht se qeveria e Kosovës, si qeveri e një shteti sovran, dëshiron të zbatojë rregullat që vlejnë për të gjithë njerëzit në territorin e saj. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap, nëse e ndihmon qëllimin apo jo. Pra, kam mirëkuptim që ajo dëshiron të zbatojë vendimin për targat, por duhet të merret parasysh nëse është kaq e mençur të zbatohen dënimet. Këshilla jonë është që me mençuri të mendohet për pasojat e dyta dhe të treta të masave që merren. Për agjitatorët dhe ekstremistët është e lehtë kur ka një çështje që shqetëson edhe njerëzit e zakonshëm, atëherë edhe njerëzit e zakonshëm janë të gatshëm të mirëpresin gjëra që ata zakonisht nuk i mirëpresin”, tha Abraham.

Related Articles