Prokuroria Themelore në Pejë ka thënë për Paparacin se prokurorja e cila po merret me rastin e vdekjes së foshnjës në Spitalin e Pejës, është në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësor dhe veprimeve të tjera hetimore.
Sipas Prokurorisë, aktualisht janë në fazën fillestare hetimore teksa thanë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ‘nuk mund të ndajnë më shumë informacione’.
Nga Prokuroria nuk kanë treguar se kush është intervistuar, përveç babait të viktimës.
Ata dhanë detaje të njëjta si të mërkurën, kur edhe u shpalos lajmi për këtë skandal në Spitalin e Pejës.
Megjithatë, foshnja vdiq javën e kaluar, ndërsa e mbështjellë me çarçafë u dërgua në rrobalarëse. Për rastin, janë suspenduar shtatë punonjës të Spitalit të Pejës.
“Ky rast ka ndodhur javën e kaluar . Prokurorja kujdestare e departamentit të krimeve të rënda nga Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë në vendin e ngjarjes, bashkë me inspektoratin shëndetësor. Jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, tha zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Mes tjerash, ai tregoi se prokurorja e rastit ka takuar prindin e foshnjës dhe e ka informuar atë për krejt rastin, i cili tronditi opinionin kosovar.
“Gjithashtu jemi në pritje të raporti nga inspektorati shëndetësor dhe veprimeve tjera hetimore. Prokurorja e rastit gjatë ditës se djeshme ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”.