Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se injorimi që Qeveria ia ka bërë situatës në veri të Mitrovicës vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se sot ka takuar Këshillin Politik të PDK-së, me të cilin ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Bashkë me Koordinatorin, akademik Arsim Bajrami, kemi shprehur shqetësimin e madh me realitetin e ri i cili po tentohet të krijohet në pjesën veriore të Kosovës. Injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve. Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk kërkon kompromis, por lidership shtetëror”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Telegrafi.
“Me Këshillin Politik kemi diskutuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE). Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka njoftuar se në një takim të ndarë, ka takuar edhe kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilët diskutuan për zhvillimet politike, projektet komunale dhe me theks të veçantë, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK.
“Me kryetarët e degëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”, ka shkruar Krasniqi.