Pa dyshim se diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Sipas statistikave të fundit, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard euro remitenca deri në tetor të këtij viti, e që krahasuar me vitin e kaluar paraqet një rritje prej 5.5 për qind, përcjell albinfo.ch.
Ndërkohë, referuar të dhënave, rritja ekonomike për këtë vit, shkon deri katër për qind. Kështu ka thënë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Bazuar në analiza, Banka Qendrore e Kosovës parashikon që në vitin 2023 rritja ekonomike në vend të shkojë në 3 deri 4 për qind.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në konferencën e fundvitit, ka thënë se parashikimet e BQK-së janë të ngjashme me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Ekonomia e Kosovës filloi në vitin 2022 me perspektivë të mirë si rezultat i vitit të suksesshëm 2021. U karakterizua me rritje 10.75 për qind. Gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikeve globale, e pasojat e luftës, u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normës së interesit, dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore. Sipas vlerësimit të BQK-së këtë vit parashikimet tona janë që rritja ekonomike në vend të sillet 3 deri 4 për qind. Ngjashëm me parashikimet që jep FMN”, ka thënë Mehmeti.
Mesatarja e inflacionit deri në nëntor të vitit 2022 arriti në 11.2 për qind
Mehmeti, ka thënë se mesatarja e inflacionit deri në nëntorin e vitit 2022 ka arritur në 11.2 për qind, që është 3.4 për qind më i lartë se krahasuar një vit më herët.
Sipas tij, Kosova ka ndërtuar një sistem financuar të shëndoshë në vend dhe ka dëshmuar se mund t’i përballojë edhe krizave siç ishte pandemia e agresioni rus në Ukrainë.
Ndërkohë sa i përket sektorit bankar, është thënë se deri në tetor të vitit 2022 vlera e kredive të reja arriti në 1.56 miliardë euro, apo rritje 13.6 për qind.
Po ashtu, viti 2022 shënoi një ritëm me të shpejte të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë.
Vlera e remitencave të pranuara deri në fund të muajit tetor 2022 është 1 miliard euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5 për qind.
“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, e cila paraqet një rritje prej 26.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.
Guvernatori i BQK-së tha se ka rritje të kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar.
“Deri në tetor të këtij viti, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.59 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 13. 6 për qind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar deri në shtator të vitit 2022 ishte 4. 27 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 18. 4 për qind , krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.
Ndërsa po ashtu ka pasur rritje të importit të mallrave për 24.6 për qind, apo 4.2 miliardë euro, ndërsa po ashtu edhe të eksportit, ku ka arritur vlerën e 688 milionë euro, apo rritje vjetore 27.1 për qind.
“Si rrjedhojë deficiti tregtar është 3.47 miliardë euro, apo një rritje prej 24.2 për qind”.