Trajneri i mirënjohur kosovar, Arsim Thaqi ka konfirmuar bisedimet me Dritën për ta marrë “timonin” e skuadrës nga Gjilani.
Ish-trajneri i disa ekipeve në Kosovë ka pohuar se ai dhe drejtuesit e klubit gjilanas do të takohen sërish.
“Jemi takuar me drejtuesit e Dritës. Kemi biseduar. Është kjo javë që ata do të vendosin. Do ta kemi edhe një takim tjetër. Krerët e klubit natyrisht duan të bisedojnë edhe me disa trajnerë për të vendosur më pas”, tha Thaqi për Demokracia.com.
51-vjeçari theksoi se është i gatshëm ta marrë drejtimin e tre herë kampionëve të Kosovës.
“Jo vetëm unë, por edhe shumë trajnerë do të donin ta udhëheqin Dritën për shkak se viteve të fundit është një nga klubet më të organizuara. Do të ishte privilegj”, nënvizoi Thaqi për portalin.
Thaqi gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe skuadra si: Trepça ’89, Prishtina, Flamurtari dhe së fundmi Malishevën.
Drita ka mbetur pa trajner që nga 24 nëntori kur Ardian Nuhiu është larguar nga klubi pas një aventure disavjeçare.
Nuhiu u largua nga “bardhekaltrit” pas eliminimit të hershëm në Kupën e Kosovës.
Drita e ka mbyllur stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në pozitën e parë me 38 pikë, po aq sa Ballkani i dyti.